Tuesday, March 4, 2008

Mina Çaushi

Guxo të mbrosh veten

Tregim i jetuar

Kur e pashë në minutat e para nuk e dallova dot mirë nëse ajo ishte vajzë apo grua. Rrobat e palara e të ngjitura pas trupit që mbante veshur, ato flokë të pakrehura, të hallakatura, sa andej-këndej, e të lagura nga djersët, të jepnin përshtypjen e një gaforreje të madhe që se nga ishte shfaqur para nesh e s’dinim nga ta kapnim, si ta preknim.
- Si të quajnë? – e pyeti njëra nga ne në gjuhën greke.
Ajo nuk u përgjigj.
- Nga je? – e mori guximin dhe e pyeti një tjetër, por përsëri ajo nuk foli.
- Lëreni! – shtova unë. – Nuk do të flasë. Lëreni të qetësohet!
Ajo, mes ngashërimeve, shikonte rrotull saj gjithë frikë, duke na përmbledhur me sy ne të gjitha që interesoheshim për të.
Njëra prej nesh i ofroi ujë. Ajo e piu atë gotë sa hap e mbyll sytë.
- Silli edhe një tjetër! - thashë unë.
Me gotën tjetër filloi të lante sytë dhe gjakun që vazhdonte t’i rridhte nga cepi i buzës së poshtme.
- Në banjë, shoqëroje për në banjë dhe mos e mbyll derën… Ndihmoje të zhvizhet me kujdes! – iu drejtova njërës nga shoqet me fizik më të bëshëm.
Fillimisht ajo i hoqi një fund të vjetër, më pas një bluzë të pambuktë që i qe ngjitur plagëve të kurrizit e më në fund një shami koke që ajo e mori ndër duar dhe nisi ta shtërngonte fort. Në kokë i dalloheshin plagë të mëdha. Duhet ta kishin goditur me ndonjë send të fortë si dru, gur, shishe a tavëll duhani prej qelqi a ku ta dinim ne?! Të vetmen gjë që dimin dhe që prisnim me padurim ishte t’i dëgjonim zërin.
E futëm në dush. Ajo vetë i hapi të dyja rrubinetet njëherësh deri në fund.
Filloi të bërtiste me sa kishte në kokë nga dhimbjet. Tjetra ia mbylli deri në masën e duhur.
- Ujë, ujë, vetëm ujë! - belbëzonte ajo.
- Dhe tani, - e urdhëroi njëra nga ne, - ulu në këtë stolin këtu sa të ndërrojmë ujin në banjë.
- Mirë, - u bind ajo.
Banja e saj vazhdonte. Prisnim me ankth të mësonim se ç’i kishte ndodhur kësaj femre të mjerë. Kush e kishte rrahur si shtazë? Kush kishte guxuar ta sillte në atë gjendje?!
Më në fund doli nga banja. Shtrëngonte pas vetes një peshqir të madh duke u dridhur. I thamë të shtrihej pak për t’u qetësuar. U shtri përmbys mbështetur me bërryla dhe gjunjë e me jastëkun poshtë barkut.
I thamë të shtrihej mirë, por ajo kundërshtoi.
-Jo, jo nuk rri dot shtrirë e as përmbys.
Ne u pamë sy më sy njëherësh.
- Doktoreshën, shpejt doktoreshën tonë, gjinekologen!
I telefonuam dhe ajo erdhi menjëherë. Doktoresha di ca gjuhë të huaja dhe u mor vesh me të. I bëri një gjilpërë qetësuese, i dha ca ilaçe duke e këshilluar si t’i pinte dhe u largua për të ardhur të nesërmen.
- Ikni edhe ju, - na këshilloi ajo, - se për katër orë vajza nuk do të përmendet.
Pas katër orësh ne ishim përsëri aty.
- Po fle? - pyeti njëra. - Nga është? Çfarë tha doktoresha?...
Shumë e shumë pyetje të tjera na vinin së brëndshmi njëra pas tjetrës. S’dinim asgjë. Fliste një greqishte të çalë. Prisnim se shumë shpejt do të mësonim gjithçka për të…
Ajo ishte një vajzë 17 vjeç nga… Që në moshën 12-13 vjeç e deri në atë ditë familja e saj e shiti si plaçkë tregu, duke bërë marrëveshje të njëpasnjëshme me burra të moshuar të ndryshëm. E paraqisnin vajzën për fejesë, e merrnin me të mirë, e vishnin me rroba të reja e të bukura që ajo të gënjehej e të gëzohej deri sa ta merrte i interesuari. Familja më pas merrte paratë e marrëvehjes, peng i së cilës ishte vajza.
Pasi mbaroheshin paratë dhe shitja e dhuratave që kishin sjellë për të, familjarët gjenin një mënyrë për ta marrë mbrapshit vajzën dhe pasi e merrnin, e mbanin të fshehur deri sa gjenin një rast ose një të interesuar tjetër për "dhëndërr".
Në fillim kjo trembëdhjetë vjeçare nuk po e kuptonte si luhej fati i jetës së saj. Në çdo dy-tre muaj përsëritej e njëjta skenë martese. Vetëm në pak kohë mbi trupin e saj të njomë kishin kaluar një numër i shumtë burrash të moshave të ndryshme…
- Herën e fundit, - tha ajo, - më lidhën duart te balli i krevatit, më lanë lakuriq dhe më vonë më lidhën edhe këmbët. Në atë dhomë të errët vinin burrat njëri pas tjetrit, edhe disa burra njëherësh… Thërrisja e ulërisja me të madhe, po nuk më dëgjonte askush… Njëri prej tyre më futi në gojë fundin e një perdeje të grisur. Mbyllja sytë e shtërgohesha nga dhembja që ndjeja në trup. Ndjeva të më zgjidhnin e të më kthenin përmbys. Dy më mbanin nga krahët dhe dy nga këmbët. Duar të tjera më preknin e më nduknin gjithë trupin. Nuk po e përcaktoja dot llojin e asaj kafshe gjigande që shtrihej e tkurrej mbi trupin tim. Sa duar, sa gjuhë, sa gojë, sa dhëmbë vallë më kafshonin?!... Po sy, po zemër kishte kjo kafshë?!... Ndieja dhembje në gjithë trupin. U mbulova me djersë e më pas humba ndjenjat... S’e di sa orë kisha qëndruar ashtu përmbys. Erdha në vete vetëm kur më hodhën ujë të ftohtë, shumë të ftohtë… Dridhesha e tëra. Plagët më rridhnin gjak e më digjnin për vdekje. S’po kuptoja ç’ishte natë apo ditë?!…
- Çfarë pe?
- U hoqa zvarrë deri te dritarja me perde të grisur. Nga lartësia kuptova se isha në kat të dytë. Duhet, thashë… Vetëm kaq! Duhet. Po ku të veja? Ku? Të vdes?! Më mirë të vdes! Dhe kështu, në mënyrë të trishtueshme, mora vendimin: U hodha… Qëndrova pa lëvizur gjatë… Heshtje… Ku kam rënë, mendoja? Si do të largohem? Po më përgjojnë ata që më panë si u hodha? Më dëgjuan? Do më marrin prapë? Do fillojnë nga e para? Jo, jo, asgjë nga këto… Nuk duroj dot të më torturojnë akoma… Asgjë s’pipëtinte… Sa mirë që ishte natë…
Lëviza drejt ca shkurreve me shumë mundim, shkurre nga ato që rrethojnë pallatet. U fsheha aty. S’e di se sa, por di se duke çaluar u largova që andej për të mos u kthyer më kurrë. Nga mëngjesi, diku në një kazan plehrash gjeta rrobat që kisha veshur. Ato m’u ngjitën pas plagëve… Më dhembnin… Kam temperaturë, - përfundoi ajo…
Ne heshtnim të tmerruara prej rrëfimit të saj.
- Aman, mos tregoni se ndodhem këtu! – u lut ajo me përgjërim.
- Mos u tremb! - e siguruam ne. – Qetësohu! Do të kalojë, do të bëhesh mirë… Mundohu të harrosh çdo gjë, çdo gjë! Mundohu të flesh sadopak, mos qaj më, dëgjon? Mos qaj më!…
- Po, - tha ajo papritur, – të fle, të harroj?! Si të mundem vallë të mos i kujtoj ato duar të ndyra, ato gjuhë gjarpërinjsh, ato dhëmbë ujqrish që kafshonin ku të mundnin?!…
Lot të nxehta i rridhnin faqeve…
Vazhdonim të qëndronim aty me vështrimin në sytë e saj të trishtë. Mundoheshim të jetonim sadopak me dhimbjen e saj të madhe. Ajo krijesë e brishtë qe shndërruar në një rrënojë të pandreqshme, ndërsa jeta vazhdonte të rridhte e qetë për shumë moshatare të saj…
Shënim: Për arsye etike emri i vajzës dhe i qytetit ku ka ndodhur kjo ngarje nuk bëhen të ditura. Ajo vajzë më vonë u egzaminua me AIDS dhe vdiq në rrethana tragjike si pasojë e përdhunës trupore e psikologjike që i ishte dashur të kalonte. Ne u munduam ta ndihmonim dhe ta gëzonim sadopak në atë periudhë jete që i kishte mbetur…

Mina Çaushi